Rreth Meje
Flamur Lutfi Hoxha (lindur më 20 mars 1968 në Kukës) është deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë.
Rrjedh nga një familje e madhe patriotike, e spikatur që nga mesi i shekullit të 18-të, me kontribute dhe ndikim në zonë, pasi të parët e saj ishin klerikë të njohur, të shkolluar, kishin aktivitet tregtar dhe lidhje të forta miqësore me shumë familje të njohura në Lumë e më gjerë.
Pas pushkatimit të gjyshit, Haki Idriz Hoxha, në vitin 1975, ende pa mbushur 9 vjeç, në vitin 1976, deportohet me të gjithë trungun familjar në kampin e internimit në Shetaj, në periferi të Durrësit, ku deri në vitin 1990 jetuan familjarisht padrejtësinë e sistemit, skamjen dhe vështirësitë e punëve të rënda e të papaguara në sektorin e bujqësisë, në fshatrat Shetaj, Perlat e Rinia të Durrësit. Flamuri bëhet pjesë e lëvizjes së studentëve të Dhjetorit '90 dhe, me krijimin e Partisë Demokratike, rreshtohet ndër të parët me të gjithë familjarët e tij, si anëtar nismëtar dhe aktivist në degën e Partisë Demokratike Durrës.
Në mars 1991, i ndërpret studimet e sapo fituara me konkurs dhe aq të dëshiruara në Fakultetin e Ekonomisë (të pamundura për shkak të biografisë së keqe, pas mbarimit të shkollës së mesme Mekanike Bujqësore Shkozet, dega Ndërtim 1982–1986), dhe merr rrugën e mundimshme të emigrimit, si mijëra qytetarë shqiptarë që ende nuk shihnin dritë pas humbjes së zgjedhjeve të 31 marsit të atij viti. Më pas kreu studimet në Fakultetin e Shkencave Juridike në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër. Vitet e vështira të emigracionit (1991–1993) i dhanë eksperiencën dhe njohuritë e duhura për zhvillimin e sipërmarrjes private. Që nga viti 1993 ka drejtuar, menaxhuar dhe zhvilluar një seri biznesesh dhe, së bashku me bashkëshorten, drejton ndërmarrjet e veshjeve KLER shpk në Shqipëri dhe KLER SRL në Itali – produkte cilësore që eksportohen dhe tregtohen në të gjitha vendet e Evropës, në Amerikë dhe vende të tjera. Që nga viti 2008, themelon kompaninë FB-ART shpk dhe angazhohet në sektorin e ndërtimit, duke u shndërruar në një prej bizneseve më cilësore të kësaj fushe. Tregu imobiliar është një tjetër sektor i rëndësishëm në aktivitetin e tij ekonomik.
Në të gjithë veprimtarinë e tij të biznesit nuk ka asnjë rast të marrëdhënieve kontraktuale për përdorimin e fondeve publike të buxhetit të shtetit në nivel qendror apo lokal. Krahas ngritjes së kompanive private në fushat e mësipërme të aktivitetit ekonomik, është angazhuar në krijimin, drejtimin dhe përfaqësimin e dhomave të ndryshme të biznesit, gjithashtu edhe në politikë, në krah të Partisë Demokratike, si anëtar i Këshillit Kombëtar të saj, si i ngarkuar i kryesisë së PD për riorganizimin e strukturave në disa degë të Qarkut Tiranë dhe Lezhë. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 kandidoi në qarkun e Tiranës, mori mbi 22,000 vota në zonën e Kamzës dhe Paskuqanit, por nuk mundi të bëhej pjesë e parlamentit për arsye të renditjes në listat e sistemit proporcional elektoral. Drejtoi për disa kohë degën e Partisë Demokratike në Kamëz, duke konsoliduar dhe përgatitur për fushatën zgjedhore strukturat partiake të kësaj dege.
Në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021, si drejtues politik i Qarkut Kukës dhe kryesues i listës së deputetëve të këtij qarku, mori një mbështetje të madhe nga qytetarët, pa dallim bindjesh politike, për qytetarinë dhe ndershmërinë e tij. Me angazhimin dhe pasionin e tij për sportin, ideoi dhe ndërmori iniciativën për të bashkuar një grup kontribuesish të rëndësishëm me synimin e qartë për ngjitjen e Klubit të Futbollit Kukësi nga Kategoria e Dytë në të Parën dhe në Superiore. Si rezultat i këtij angazhimi, FK Kukësi nga viti 2009 deri në vitin 2013 shënoi sukseset e para në Shqipëri dhe në Kupat e Evropës.
Falem pasionit të tij për artin, historinë, etnografinë dhe kulturën në tërësi, u bë mbështetës kryesor dhe sponsor i vetëm për botimin e revistës Illz, revistë letrare e Tiranës, periodike dymujore ballkanike. Gjithashtu ka mbështetur botimet kryesore të Klubit të Poezisë, botime të rralla e të munguar historike dhe etnologjike, duke sjellë në fondin e artë të kulturës shqipe pasurinë etnologjike të trevave të Kukësit, Hasit, Malziut, Fanit dhe Malësisë së Gjakovës.
Flamur Hoxha është i vetmi institucion moral që ka mbështetur financiarisht dhe vazhdon të mbështesë shkrimtarët martirë të Shqipërisë, ndaj të cilëve shteti dhe shoqëria nuk kanë pasur asnjëherë vëmendjen e duhur. Ndërkohë që ata janë ndërgjegje kombëtare dhe shkollë qëndrese, ai bëhet sponsor dhe promovues i veprës së shkrimtarëve martirë të dënuar me varje e pushkatime, si Havzi Nela, Visar Blloshmi, Genc Leka, Trifon Xhagjika, Gjergj Fishta etj., sa ka arritur të identifikohet si një institucion i tillë në promovimin e shkrimtarëve martirë shqiptarë.
Në gjithë veprimtarinë jetësore të tij, në arritjet në biznes e kudo, ai ka pasur mbështetjen e fuqishme të familjes. Mira, bashkëshortja, vijon me përkushtim drejtimin e sipërmarrjes, duke shënuar progres cilësor dhe sukses, ndërkohë që i është dashur të kujdeset edhe për tre fëmijët dhe prindërit e tij. Flamur Hoxha është familjar dhe bashkëshort i përkushtuar, baba i një vajze dhe dy djemve, mik fisnik i shumëkujt, njeri që u është gjendur shumë e shumë njerëzve, mbështetës pa kushte i Partisë Demokratike.