FLAMUR HOXHA

Babë, sot, në 50-vjetorin e pushkatimit tënd

Babë, sot, në 50-vjetorin e pushkatimit tënd, unë, nipi yt i parë, jam në moshën që kishe ti atë ditë.

Të them babë, gjyshi im Haki Hoxha, se ti ishe baba i shtëpisë, baba i fisit, baba i vendit.

Dosja 155-A, me 1851 fletë, përmban ndjekje, përgjime, sajesa, trillime dhe aktorë me pseudonime që ndoqën çdo hap të jetës tënde nga viti 1951 deri më 25 shtator 1975, ditën e pushkatimit.

Sot, pesë dekada më vonë, ajo është dëshmi për ty dhe për ne.

Kur të pushkatuan, babë, unë isha fëmijë 8-vjeçar, i burrëruar para kohe, me përbuzjen e shtetit që më rrinte si pranga në duar, i ndjekur gjatë nga sy që shikonin me urrejtje. Që prej asaj dite mbaj shiritin e memories: burgjet, internimet dhe vuajtjet e fisit të madh të Mulla Idrizit (Idriz Tahir Hoxha).

Unë, një fëmijë me nënë e baba të bërë një, në kalvarin e jetës mes dritës dhe errësirës, sot lexoj dosjen tënde dhe ndiej peshën e historisë sonë.

Sot, gjysmë shekulli më vonë, ajo dosje mbetet dëshmi e dhimbjes sonë dhe e qëndresës tënde.

Dritë shpirti yt, babë!

Jemi dhe do të mbetemi përjetë krenarë për ty.

Nipi yt i parë, me emrin që ti zgjodhe,

Flamuri