FLAMUR HOXHA

Çdo verë, Shqipëria digjet

Pamjet që qarkullojnë janë tronditëse. Në vend që të shohim makina të specializuara, pompa uji apo helikopterë nga ajri, shohim zjarrfikës që luftojnë flakët me degë peme dhe lopata. Madje disa prej tyre, natën, në terr, me pantallona të shkurtra sikur të ishin të kapur në befasi, jo pjesë e një shërbimi emergjence. Ky nuk është vetëm imazh i mungesës së mjeteve, është portreti i një sistemi të tërë që ka dështuar.

Dhe nuk është hera e parë. Çdo verë, Shqipëria digjet. Nga Jugu në Veri, flakët shkatërrojnë pasuri natyrore, kafshë të egra, tokë bujqësore e shpesh edhe banesa. Çdo vit dëgjojmë të njëjtin refren: “po punohet për izolimin e vatrave të zjarrit”. Por ajo që nuk ndryshon kurrë është fakti që zjarrfikësit janë të pajisur keq, të nënfinancuar dhe të lënë vetëm.

Për vite me radhë, pushteti ka parë të përsëritet e njëjta tragjedi dhe ka zgjedhur të mos investojë seriozisht në mbrojtjen e pyjeve dhe në pajisjet e emergjencës. Përpjekjet janë improvizime të minutës së fundit dhe shpesh janë qytetarët e thjeshtë ata që bashkohen me zjarrfikësit për të ndaluar një katastrofë më të madhe.

Deri atëherë, Shqipëria do vazhdojë të digjet, jo vetëm nga flakët e pyjeve, por edhe nga papërgjegjësia e një qeverie që e sheh çdo vit të përsëritet e njëjta tragjedi dhe zgjedh të mos bëjë asgjë. Ky nuk është dështim rastësor, është zgjedhje politike. Dhe kur pushteti zgjedh të mos mbrojë njerëzit dhe pasurinë e vendit, fajin nuk e ka era, por ata që sot komandojnë këtë vend.