Unë po hyj në politikë për të sjellë një ndryshim edhe në mentalitetin tuaj. Pajtohem me një ndjeshmëri të njerzve të caktuar, të cilët shprehen se në politikë kanë depërtuar edhe horra, kriminelë me damkë, hajdutë që vijnë për t’u pasuruar, njerëz të paditur që marrin peng të sotmen e të nesermen.
Por, në këto 27 vjet, në politikë ka patur edhe njerëz të ndershëm që kanë punuar me përkushtim për begatinë e secilit prej nesh. Falë këtyre njerzve sot Shqipëria është në NATO, në miqësi të përhershme me SHBA dhe në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Mirënjohje për këta politikanë të ndershëm.
Unë u përkas njerzve të ndershëm. Gjithçka e kam ndërtuar me mund e me djersë. Askush nuk mund të gjejë asnjë hije të dyshimtë në jetën time. Duke hyrë në politikë, besoj fort në programin e Republikës së Re, në programin e Lulzim Bashës, që do t’u japë fund pelivanëve, shushunjave e dallkaukëve të korrupsionit.
Ka një tendencë që t’i paraqesë gjithë politikanët njëlloj mashtrues dhe përfitues në kurrizin e njerzve, që kujtohen për ta vetëm në ditën e votimeve. Kjo nuk është e vërtetë.
Unë ju siguroj se do të jem për ju njeriu që më keni parë gjatë kësaj fushate.
Do të jem derë e hapur për të gjithë, nuk do të jem i shurdhër për askënd. Ju uroj mbarësi e mirësi të gjithëve.
